Foto: Vjosa Osmani, Hissein Brahim Taha

Presidentja Osmani takoi sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Shteteve Islamike

Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës në New York, e shoqëruar nga zv.kryeministrja Donika Gërvalla- Schwarz, njëherësh ministre për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ka takuar sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Shteteve Islamike, Hissein Brahim Taha.

Presidenca e Kosovës bën të ditur se presidentja falënderoi sekretarin Taha për mbështetjen që kjo organizatë i ka dhënë Kosovës nga shpallja e pavarësisë e më tutje. Në veçanti për rezolutën që së fundmi është miratuar nga OIC, me të cilën është bërë thirrje që të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate ta njohin Kosovën.

Tutje, potencohet se presidentja Osmani theksoi se për Kosovën është më rëndësi ta thellojë partneritetin me OIC për t’i luftuar sfidat globale dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta.

Në njoftim më tej theksohet se presidentja Osmani potencoi rëndësinë e njohjeve të reja nga shtetet anëtare të kësaj organizate, duke potencuar se fuqizimi ndërkombëtar i Kosovës e rrit mundësinë për një Ballkan Perëndimor paqësor, të qëndrueshëm dhe të begatë.

Presidentja Vjosa Osmani, gjatë vizitës në New York është takuar edhe me presidentin e Estonisë, Alar Karis, ku diskutimi u fokusua në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet në rajon e më gjerë, si dhe bashkëpunimin e mëtejmë.

Sipas njoftimit, presidentja po ashtu ka takuar kryeministrin e Andorrës, Xavier Espot, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e dhënë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Foto: Vjosa Osmani, Xavier Espot
Foto: Vjosa Osmani, Alar Karis
Foto: Vjosa Osmani, Hissein Brahim Taha