Presidentja Osmani takoi kancelarin austriak Sebastian Kurz

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës zyrtare në Austri është takuar me kancelarin Sebastian Kurz.

Sipas një komunikate të Presidencës, në takim me kancelarin Kurz presidentja Osmani ka theksuar se është në interesin e Kosovës që mbështetja e Austrisë të vazhdojë me procesin e liberalizimit të vizave si dhe fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Presidentja Osmani ka theksuar, gjithashtu edhe gatishmërinë e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.  Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka potencuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e ekonomisë, teknologjisë informative, agjendës së gjelbër dhe fushave të tjera. Në këtë takim, zonja Osmani ka falënderuar kancelarin Kurz për 95 mijë vaksina Pfizer, të cilat janë siguruar për Kosovën nga Bashkimi Evropian, për të cilat Austria kishte ndihmuar në aspektin procedural”, thuhet në kumtesë.

Presidentja Osmani në takim me kancelarin Kurz ka theksuar se populli i Kosovës është më proevropiani, ndaj ka kërkuar që BE-ja t`i liberalizojë vizat, duke mbajtur premtimin.

Ndërkaq tutje thuhet se sa i përket dialogut me Serbinë, presidentja Osmani ka ritheksuar qëndrimin për dialog të barabartë ndërmjet palëve, i cili përfundon me njohje reciproke.

Presidentja Osmani po ashtu ka theksuar se parakushte për paqen e qëndrueshme në rajon janë drejtësia për viktimat e luftës së fundit në Kosovë, zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe respektimi i sovranitetit dhe integritetit kushtetues e territorial të Kosovës.