Foto: Presidenca e Republikës së Kosovës

Presidentja Osmani takoi ambasadorin Jeffrey Hovenier, diskutuan edhe për administratën e re amerikane

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar takimin e radhës me ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier.

Në takimin e së enjtes, siç njofton Presidenca e Kosovës, është diskutuar për zhvillimet e fundit, situatën aktuale të sigurisë në vend dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve.

Temë e diskutimit në këtë takim ka qenë edhe ardhja e administratës së re në pushtet pas zgjedhjeve në SHBA, që nxorën fitues kandidatin Donald Trump.

“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit, situatën aktuale të sigurisë në vend, forcimin  e bashkëpunimit dypalësh dhe ndryshimet në administratën amerikane pas zgjedhjeve të fundit”- thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.

Presidentja Osmani përmendi rëndësinë e aleancës së Kosovës më SHBA-në, duke e quajtur aleancë “ekzistenciale”, dhe ka shfaqur shpresën se edhe me administratën e re amerikane do të vazhdojë bashkëpunimin e mirë dhe se Kosova do të vazhdojë të jetë në fokusin e Shteteve të Bashkuara.

“Presidentja Osmani përsëriti urimet e Kosovës për Presidentin Trump dhe kabinetin e tij, teksa theksoi se aleanca e Kosovës me SHBA-të është ekzistenciale, ndaj shfaqi shpresën që edhe me administratën e re do të vazhdojë bashkëpunimi i shkëlqyeshëm dhe se Kosova edhe më tej do të mbetet në fokusin amerikan” – thuhet në njoftim.

Takimi i Osmanit me ambasadorin Hovenier është i pari pas zgjedhjeve të mbajtura me 5 nëntor në SHBA.