Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com
Presidentja Osmani takohet sot me kryetarët e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të takohet sot më 31.07.2024 me kryetarët e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta në Kosovë.
Sipas njoftimit, takimi do të nis në ora 14:00.
“Në orën 14:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do të mbajë takim konsultativ me kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta në Republikën e Kosovës”- thuhet në njoftim.
Osmani pas takimit pritet të mbaj konferencë për media në hollin e Kabinetit të Presidencës.
Partitë politike i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Osmanit për t`u takuar.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë thënë për KALLXO.com se do të marrin pjesë në këtë takim.
Nga AAK-ja, zëdhënësi i partisë, Kushtrim Xhemaili tha se kryetari Ramush Haradinaj i është përgjigjur presidentes Osmani përmes një letre dhe në takim do të paraqes qëndrimin e partisë lidhur me datën e mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve.
Edhe nga LDK kanë konfirmuar se kryetari Lumir Abdixhiku do të paraqes qëndrimin e partisë.
Zgjedhjet e fundit qendrore në Kosovë janë mbajtur më 14.02.2021.