Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja Osmani takohet me nënsekretaren e OKB-së, shpreh shqetësimin se Rusia po e rrit ndikimin në rajon nëpërmjet Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Nju Jork ka takuar nënsekretaren e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Çështjet Politike dhe Ndërtim të Paqes, Rosemary DiCarlo.

Në takim është diskutuar për situatën politike dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë, implikimet e agresionit të Rusisë në Ukrainë, kriza energjetike dhe ushqimore, si dhe dialogu me Serbinë.

“Osmani shprehu shqetësimin për rritjen e ndikimit rus në rajon nëpërmjet Serbisë dhe tendencave destabilizuese të saj” – thuhet në njoftimin e Presidencës.

Tutje, Osmani ka theksuar se Kosova e ka dënuar agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.

Në këtë takim Osmani dhe DiCarlo kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi dhe presidentja ka përsëritur se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se zgjidhja e vetme që i kontribuon paqes dhe stabilitetit të rajonit është njohja e ndërsjellë.

“Serbia ka ngecur në zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë, ka bllokuar marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë dhe ka rritur tensionet në çështjet e targave të makinave, nëpërmjet sulmeve nga struktura ilegale dhe kriminale në veri, ndaj Policisë së Kosovës” – ka thënë Osmani.

Tutje ajo ka theksuar se Kosova është gjithashtu e interesuar të zgjerojë marrëdhëniet me shtetet anëtare të OKB-së dhe synon anëtarësimin në OKB.

Në takim me nënsekretaren e OKB-së, presidentja Osmani e ka mirëpritur pjesëmarrjen e saj në Forumin e Grave, Paqes dhe Sigurisë, i cili do të zhvillohet më 22 e 23 tetor në Prishtinë.