Presidentja Osmani takohet me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, flasin edhe për anëtarësimin në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Në komunikatën për media të Presidencës thuhet se në takim u fol për fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, me ç’rast u vlerësua mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar në reformat institucionale dhe promovimin e sundimit të ligjit.

Osmani ka theksuar nevojën e ngritjes së nivelit të bashkëpunimit – si hap drejt anëtarësimit në NATO.

“Presidentja Osmani falënderoi po ashtu Mbretërinë e Bashkuar për Programin e bursave Chevening dhe diskutoi mundësitë për zgjerimin e shkëmbimeve arsimore e kulturore, si dhe për forcimin e partneritetit në këto fusha.” – thuhet tutje në komunikatë.

Presidentja kosovare ka folur për rëndësinë e bashkëpunimit për adresimin e sfidave dhe ka dhënë gatishmëri për thellimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve në të gjitha fushat.