Foto: Presidenca e Kosovës, Facebook

Presidentja Osmani pritet në takim nga Papa Françesku në Venedik

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është pritur në audiencë private nga Papa Françesku në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Osmani ka falënderuar Papa Françeskun për kujdesin që ai po tregon ndaj Kosovës, duke e njoftuar për vendosmërinë e Kosovës për ta kultivuar e promovuar më tej paqen, harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet njerëzve.

“Papën e njoftova me vendosmërinë tonë për ta kultivuar e promovuar më tej paqen, harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet njerëzve, si vlera të popullit tonë, mbi të cilat janë kultivuar e ruajtur prej afro dymijë vjetësh edhe raportet tona me Selinë e Shenjtë. Në mënyrë të veçantë e falënderova Atin e Shenjtë për kujdesin që ai po tregon ndaj Kosovës dhe e falënderova për vendimin e tij të para pesë vjetëve, që Administratën Apostolike ta ngrinte në nivel të dioqezës” – ka shkruar presidentja Osmani.

Presidentja ka folur edhe pwr raportin me Vatikanin dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Thellimi i mëtejmë i raporteve me Vatikanin dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë orientimi ynë i përbashkët. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore”- ka shkruar tutje presidentja Osmani.

Foto: Presidenca e Kosovës, Facebook

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dje ka udhëtuar për vizitë në shtetin e Vatikanit dhe në Itali.

Presidentja Osmani në këtë udhëtim ka shkuar së bashku me bashkëshortin, Prindon Sadriu dhe zëvendëskryeministren Donika Gërvalla.

Sipas komunikatës, Osmani do të ketë takim edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin.