Presidentja Osmani pritet me ceremoni shtetërore në Slloveni - Pamje

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Sllovenisë Borut Pahor, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në këtë shtet.

Osmani është pritur me ceremoni dhe me nderimet më të larta shtetërore nga Presidenti Slloven, Pahor gjatë ditës së sotme.

Sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e presidentes së Kosovës, kjo vizitë do t’i rikonfimojë marrëdhëniet e shkëlqyeshme me Slloveninë, teksa me homologun Pahor, në një sërë aktivitetesh të përbashkëta, Presidentja Osmani do t’i diskutojë mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe raporteve ndërshtetërore.

Në agjendën e vizitës zyrtare të Presidentes Osmani në Slloveni do të jetë edhe takimi me mërgatën e Kosovës në Slloveni, ligjërata e organizuar nga Qendra për Perspektivën Evropiane dhe Bled Strategic Forum si dhe pjesëmarrja në shfaqjen “Zgjimi i pranverës”, bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Qendrës për Arte dhe Komunitet- Artpolis, e cila do të jepet në Teatrin e Nova Goricës.