Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Francës

Presidentja Vjosa Osmani ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës franceze në Kosovë, Olivier Guérot.

Sipas një njoftimi nga Presidenca, Osmani ambasadorit i ka uruar mirëseardhje.

“Presidentja Osmani ka falënderuar shtetin e Francës që pas bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e Republikës së Kosovës erdhi në përfundim të përkrahjes së procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës” – thuhet në njoftim.

Tutje u tha se në këtë drejtim, Osmani ka vlerësuar lartë intensifikimin e raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës, për të cilat, sipas njoftimit, ka shfaqur besim që do të vazhdojnë të thellohen edhe gjatë mandatit të ambasadorit Guérot.

Gjithmonë duke iu referuar njoftimit të Presidencës, në takim është diskutuar edhe për zhvillimet aktuale politike në vend, rajon dhe më gjerë.

“Presidentja ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë në vijë të njëjtë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, duke shprehur se institucionet tona vazhdojnë të jenë plotësisht të përkushtuara në rrugëtimin euroatlantik” – u tha tutje.

Gjithashtu, është treguar se presidentja e vendit ka potencuar edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut, duke theksuar se vendi ynë është mishërim i vlerave, të cilat i përfaqëson ky institucion.

Madje, u njoftua edhe se Osmani dhe Guérot në takim kanë diskutuar edhe për thellimin e raporteve në sfera të ndryshme, përfshirë tregtinë, arsimin, kulturën.