Vjosa Osmani dhe ambasadori i Katarit, Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dosari. Foto: Zyra e Preisdencës

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i Katarit 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar më 22.02.2024 letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Katarit për Kosovën, Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dosari.

Në këtë takim Osmani uroi për detyrën e re ambasadorin.

Sipas një komunikate të Zyrës së Presidencës, Osmani shprehu vlerësimin për përkushtimin e vazhdueshëm të Katarit për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën si dhe kontributin e dhënë në këtë drejtim gjatë viteve.

Sipas presidentes, marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë shumë të mira, ndaj në këtë kontekst, shfaqi besimin se ato do të intensifikohen edhe më tej gjatë mandatit të ambasadorit Al Dosari.

“Presidentja Osmani shprehu besimin për vazhdimin e mbështetjes nga Katari si në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare ashtu edhe në fuqizimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare” – thuhet në komunikatë.

Gjithashtu u njoftua se presidentja Osmani dhe ambasadori Al Dosari, ndër të tjera, diskutuan edhe për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, në veçanti në fushën e ekonomisë, bujqësisë, energjisë, shëndetësisë dhe fusha të tjera.

Në takim u tha se u diskutua edhe për një sërë çështjesh në fushën e bashkëpunimit bilateral, edicionin e sivjetmë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si dhe çështje të tjera me rëndësi të interesit të dyanshëm.

Katari e ka njohur Pavarësinë e Republikës së Kosovës më 7 janar 2011.