Presidentja Vjosa Osmani

Presidentja Osmani: Po punojmë për anëtarësim në KE dhe NATO

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, gjatë një konference për media, deklaroi se janë duke punuar për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin Evropian dhe në NATO, por sipas saj anëtarësimi në NATO është më i komplikuar.

Sa i përket anëtarësimit në Këshillin Evropian, Osmani tha se 2/3 e ministrave që do të votojnë në KE janë nga shtetet që e kanë njohur Kosovën.

“Kam kërkuar të bëhen organizimet që aplikimi në Këshillin e Evropës të bëhet sivjet. Ne po punojmë me partnerët tanë që kjo periudhë kohore të jetë sa më e shkurtë për Republikën e Kosovës. Nga shtetet që do të votojnë në këshillin e ministrave që është hapi i fundit i votimit në Këshillin e Evropës më shumë se 2/3 e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe shpresojmë që të votojnë në favor”, tha Osmani.

Kurse për anëtarësim në NATO, Osmani bëri të ditur se është proces më i komplikuar, pasi sipas saj votimi dhe vendimi kërkon unanimitet dhe janë katër vende që nuk e kanë njohur Kosovën.

“Sa i përket anëtarësimit në NATO është shumë më i komplikuar, sepse kërkon votim dhe vendim me unanimitet të plotë dhe në NATO janë ende 4 shtete që nuk e kanë njohur Kosovën”, tha presidentja Osmani.

Osmani tha se do të sigurohen që t`i plotësojnë gjitha kriteret për anëtarësim në NATO ndërsa synim tjetër sipas saj është anëtarësimi në Partneritetin për Paqe për të cilën sipas Osmanit Kosova ende nuk ka ftesë për anëtarësim.