Presidentja Osmani përkujton masakrën e Rezallës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, ka kërkuar drejtësi për Rezallën. Osmani përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka përkujtuar këtë masakër duke thënë se në Rezallë, më 5 prill të vitit 1999, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë rrethuan shtëpitë e fshatit, ndanë nga gratë, nënat e motrat, 98 djem e burra dhe i ekzekutuan mizorisht.

“44 nga këta civilë të vrarë ishin të pagjetur. Disa vite më pas një pjesë e trupave u gjetën në Rudnicë të Rashkës. Tre të mbijetuarit dhe trupat e të vrarëve të gjetur në varreza masive në Serbi ishin dëshmi e fuqishme e krimeve makabre të kryera nga regjimi serb”, tha Osmani.

Osmani shkruajti se 22-vjet pas, nevoja për drejtësi riaktualizohet, duke u bërë përpjekje e vazhdueshme e institucioneve të vendit.

“Ne nuk do të ndalemi së kërkuari vendosjen e drejtësisë për njerëzit tanë sepse ata u privuan nga jeta, vetëm pse ishin shqiptarë. Liria dhe paqja kanë kuptim vetëm kur përgjegjësit dhe ekzekutuesit të vihen para drejtësisë! Masakra e Rezallës është dhimbje e jona e vazhdueshme, kujtesë historike dhe sakrifica për lirinë e vendit! Qoftë i përhershëm kujtimi për 98 të vrarët në Masakrën e Rezallës!”, ka shkruar Osmani.