Foto: Presidenca e Kosovës
Presidentja Osmani përfaqëson Kosovën në Samitin Ukrainë- Europë Juglindore në Dubrovnik
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Samitin Ukrainë-Europë Juglindore në Dubrovnik.
Në këtë samit, Osmani do të pritet nga kryeministri kroat Andrej Plenković dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, teksa do t’u bashkohet liderëve të tjerë nga Evropa Juglindore në seancën plenare.
Kështu ka njoftuar Presidenca e Kosovës duke informuar se Osmani ka udhëtuar për në Kroaci me ftesë të kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenković.
“Gjatë këtij samiti, pritet të riafirmohet mbështetja e palëkundur për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, rëndësia e sanksioneve kundër Rusisë, bashkëpunimi me BE-në dhe mbështetja e vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën”- shkruan në njoftim.
Gjatë Samitit atje, presidentja Osmani do të mbajë një fjalim.
Sipas Presidencës, ajo do të zhvillojë takime edhe me homologët e saj.
Një ditë më parë, më 08.10.2024, presidentja Osmani mori pjesë në takimin vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Bërdo- Brione.