Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Parlamentin Evropian, Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com
Presidentja Osmani përfaqëson Kosovën në samitin e tretë të Komunitetit Politik Europian
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Këshillit të Bashkimi Europian, Charles Michel dhe Kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez, ka udhëtuar për në Granada të Spanjës, ku do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e tretë të Komunitetit Politik Europian (EPC).
Sipas njoftimit, ky samit do të mbledhë krerë shtetesh nga 47 vende të kontinentit europian si dhe liderët e institucioneve europiane, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Europë.
Krahas pjesëmarrjes në këtë samit, Osmani do të zhvillojë edhe diskutime me liderë europianë për t’i informuar lidhur me agresionin e Serbisë kundër Kosovës dhe për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave të përbashkëta.
“Para liderëve evropianë, Osmani pritet të përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për paqe, stabilitet dhe siguri në vend dhe rajon”- ka njoftuar Zyra e Presidentes.