Foto: Vjosa Osmani, facebook

Presidentja Osmani pas takimit me senatorët amerikanë: Serbia vazhdon të ketë rol destruktiv në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë të përbashkët me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis, të cilët po qëndrojnë në Kosovë, tha se siguria e rajonit dhe kontinentit evropian është nën kërcënimin e Rusisë.

Osmani tha se Rusia ka një interesim serioz që të destabilizojë Evropën ndërsa shtoi se Serbia vazhdon të jetë aleat i saj.

“Kjo vizitë nuk do të mund të ndodhte në një moment tjetër më të mirë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë rol në rajonin tonë. Natyrisht që nuk është se siguria është nën kërcënim ka pasur dhe vazhdon të ketë një interesim serioz nga Rusia që të destabilizoj kontitentin dhe rajonin tonë. I informova mysafirët tanë nga senati edhe për rolin deskrutiv që Serbia vazhdon t’a luaj në rajonin tonë si aleat i Rusisë”, tha ajo gjatë konferencës.

Ndërsa në një postim në rrjetin social Facebook, Osmani tha se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar drejt rrugëtimit euro-atlantik duke falenderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për miqësinë.

“Senatorët i informova mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon. Përderisa Evropa po përjeton luftën në mes të demokracisë dhe tiranisë, Kosova, si gjithnjë, ka zgjedhur demokracinë. Avancimi i Kosovës në trajektoren e lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit është dëshmia më e fortë se populli jonë është i përkushtuar në rrugëtimin euro-atlantik. Kosova është më e fortë me aleatët e saj dhe jemi me fat të kemi mbështetjen e vazhdueshme të miqve tanë amerikanë”, shkroi ajo.

Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis janë duke qëndruar në Kosovë.

Ata gjatë ditës kanë vizituar Kampi Bondsteel në Ferizaj, si dhe janë takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Senatorja amerikane Shaheen: I mirëpresim aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO