Presidentja Osmani nesër gradon Bashkim Jasharin me gradën gjenerallejtënant

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke u mbështetur në kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore, pritet që nesër me një ceremoni të veçantë ta gradojë gjeneralmajorin Bashkim Jashari në gradën gjenerallejtënant.

Në komunikatën për media të Presidencës bëhet e ditur se ceremonia do të fillojë në ora 10:00.

Në këtë ceremoni, sipas komunikatës, mediat mund të marrin pamje.

Më 30 nëntor presidentja Vjosa Osmani, njëherësh komandante supreme e Forcave të Sigurisë së Kosovës, ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me kompetencat kushtetuese.

Emërimi është bërë siç parashihet në ligjin për FSK-në, pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes dhe rekomandimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Para emërimit të komandantit të ri të FSK-së, presidentja e Republikës së Kosovës, mbështetur në dispozitat ligjore, ka dekretuar lirimin nga detyra të komandantit të deritanishëm të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas paraqitjes së dorëheqjes nga ana e tij.

Bashkim Jashari emërohet komandant i ri i FSK-së