Presidentja Osmani në takim me kryeparlamentarin Konjufca dhe ministrin Sveçla

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po zhvillon një takim me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, mëson KALLXO.com.

Në Bruksel, pas më shumë se katër orësh ka përfunduar takimi i përbashkët ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit trepalësh në Bruksel ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti tha se Borrell ka hequr dorë nga afati i marsit të vitit 2023 si datë përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve mes vendeve.

Ai ka thënë se sot BE-ja ka propozuar që Kosova të vazhdojë me qortime, ndërsa Serbia të mos lëshojë më targa me akronime të qyteteve të Kosovës.

Në anën tjetër, Borrell ka thënë se do t’i njoftojë vendet anëtare të BE-së për mosrespektimin e detyrimeve nga palët, duke shtuar se “kjo vlen veçanërisht për Kosovën”.

“Unë do të informoj Shtetet Anëtare të BE-së, Ministrat e Jashtëm dhe partnerët tanë për sjelljen jokonstruktive të palëve dhe mungesën e plotë të respektimit të detyrimeve të tyre ndërkombëtare ligjore, dhe kjo vlen veçanërisht për Kosovën. Kjo dërgon një sinjal politik shumë negativ” – tha Borrell.

Borrell në një deklaratë për media pas takimit ka thënë se Bashkimi Evropian ka dhënë një propozim sot i cili është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.