Presidentja Osmani në linjë me Qeverinë rreth shpronësimeve në veri

Presidetja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për çështjen e shpronësimeve në veri duke potencuar se është në përkrahje të çdo iniciative që ka të bëjë me sigurinë nacionale.

“Shpronesimet vazhdojnë në hap me ligjin pa asnë lloj diskriminimi. Është e rëndësishme për sigurinë e gjithë neve që veriu i Kosovës të mbrohet. Kemi nevojë për institucionet tona të sigurisë. Përderisa shpronësimet janë në përputhje me ligjin, Kushtetuten, si presidente e përkrahi për cdo iniciativë për sigurinë nacionale. E tëra që Kosova ka bërë është respektimi i standardit të Gjykatës Europiane. Nuk shoh tendencë për diskriminime, po thjesht respektim të Kushtetutës”- ka thënë Osmani në Drenas, më 07.06.2024, në kuadër të vizitave të komunave të vendit.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka reaguar pas deklaratës së shteteve të QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së rreth vendimit të datës 30.05.2024 për shpronësimet në veri të vendit. Qeveria ka thënë se Ligji në këtë rast është zbatuar njësoj si edhe në të gjitha rastet tjera të shpronësimit për interes publik anekënd Kosovës.

Sipas Qeverisë, shpronësimet duhen vlerësuar për nga ligjshmëria, të drejtat e njeriut dhe interesi publik e jo për nga përkatësia etnike e qytetarëve.

06.06.2024 ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në Kosovë kanë shprehur keqardhje për vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës më 30.05.2024, që të finalizojë shpronësimin e mbi 100 parcelave të tokës në komunat në veri të Kosovës.

Në deklaratën e përbashkët drejtuar autoriteteve të Kosovës shkruan se disa nga misionet e vendeve të QUINT-it kanë ndarë më herët me Qeverinë vlerësimet e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, “që tregon se Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit”.

Në kuadër të kësaj vizite,  ajo flet edhe për deklaratën e Kurtit për dërgimin e draftit të Lajçak në Komosionin e Venecias.

“Nuk kam parë ide të tillë të prezantuar formalisht. Si presidente, nëse ka, e shqyrtoi dhe ju njoftoj. Unë nuk e kam parë, ndoshta në media ka qenë, por jo formalisht. Ështe me rëndësi që çdo ide të trajtohet në interes të shtetit. Duhet të prisni që ta diskutojmë në mënyrë formale”- përfundoi presidentja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 05.06.2024 teksa ka folur për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka thënë se Serbia po kërkon të zbatohet Marrëveshja e vitit 2013, e cila, sipas tij, është shkelur nga Serbia 60 për qind. Ai ka thënë se Kosova dërgon në Gjykatë Kushtetuese vetëm dokumente vendore. Ndërsa ka sugjeruar se dokumentet ndërkombëtare si drafti i propozuar nga i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, të dërgohen në Këshill të Europës apo Komision të Venedikut.

Ndryshe, në kuadër të vizitave të komunave të vendit, presidentja Vjosa Osmani ka vizituar sot më 07.06.2024 Komunën e Drenasit. Ajo u  prit në takim nga kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, do të takohet me anëtare të Kuvendit Komunal, gra të angazhuara në biznes, arsim, shëndetësi dhe shoqëri civile. Gjithashtu pritet ta vizitojë Parkun e Biznesit si dhe do të qëndrojë në shkollën “Xhevë Lladrovci”, në Gllanasellë.