
Presidentja Vjosa Osmani në SHBA më 20 shtator 2024. Foto: Vjosa Osmani në Facebook.
Presidentja Osmani në DASH, pritet të zhvillojë takimin e parë në Administratën e presidentit Trump
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të zhvillojë takimin e parë në Departamentin e Shtetit (DASH), me zyrtarë të Administratës së re amerikane, në krye me Donald Trump.
Në bazë të njoftimit të DASH-it, Osmani do të takohet me Zyrtarin e Lartë për Çështjet Europiane dhe Euroazinë, Louis L. Bono.
“Në orën 9:30, zyrtari i lartë i Byrosë Bono takohet me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu në Departamentin e Shtetit.” – shkruan në njoftimin e DASH-it.
Takimi është i mbyllur për media.
Gjatë rihapjes së Katedraljes ikonike Notre Dame në Paris, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ishte takuar me presidentin e zgjedhur të SHBA-së Donald Trump. “Ndërsa isha në Paris, ishte një nder të takoja presidentin Donald Trump dhe ta përgëzoja për fitoren e tij në emër të popullit të Kosovës. Rikonfirmova, gjithashtu, angazhimin tonë për të forcuar aleancën tonë. Ne mbështetemi në udhëheqjen e fortë të SHBA-së, ndërsa punojmë së bashku për të promovuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin në rajonin tonë dhe më gjerë.” – ka shkruar Osmani, në rrjetin social X, më 08.12.2024.
Bono është emëruar Zyrtar i Lartë i Byrosë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike nga presidenti Trump. Ai është anëtar i Shërbimit të Lartë të Jashtëm dhe së fundmi ka shërbyer si Këshilltar i Lartë për Negociatat e Kaukazit.
Më parë ai ka qenë Zëvendëspërfaqësues i Përhershëm në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Vjenë dhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Zëvendësshef i Misionit në Selinë e Shenjtë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare, drejtor i Zyrës Rajonale të Basrahut, Misioni i SHBA-së në BE dhe Ambasada në Berlin. Ai ka shërbyer gjithashtu si këshilltar i Zëvendëssekretarit të Shtetit dhe i Nënsekretarit të Shtetit për Çështjet Ekonomike dhe Biznesore dhe si drejtor për Politikat Ekonomike të Azisë Lindore dhe Paqësorit.
Donald Trump më 20.01.2025 është betuar si Presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai është betuar se do ta ruajë dhe mbrojë Kushtetutën amerikane.
Republikani Trump ka siguruar votat e 270 anëtarëve të Kolegjit Elektoral, aq sa ishin të nevojshme për t’u bërë President.