Vjosa Osmani

Vjosa Osmani - Foto Jetmir Hoxha/Kallxo.com

Presidentja Osmani mirëpret nënshkrimin e marrëveshjeve në Berlin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mirëpritur marrëveshjet e arritura sot në Berlin, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal.

Siç bëhet e ditur në komunikatën për media të Presidencës, Osmani ka potencuar se marrëveshjet për lëvizjen e lirë me karta identiteti për shtetasit e rajonit, njohja e diplomave universitare, dhe njohja e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve, do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe në heqjen e barrierave administrative në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke u afruar edhe më shumë vlerat dhe praktikat evropiane të bashkëpunimit.

“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka falënderuar kancelarin federal të Gjermanisë, Olaf Scholz, si dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian, për përkushtimin e tyre ndaj integrimit evropian të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se Kosova do të vazhdojë të mbetet palë plotësisht e përkushtuar ndaj Procesit të Berlinit dhe bashkëpunimit rajonal në frymën e barabarësisë”- citohet të ketë thënë presidentja.

Të enjten në Berlin, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar 3 marrëveshje të përbashkëta rajonale.

Marrëveshjet e nënshkruara janë: marrëveshja për lëvizjen e lirë me karta identiteti për shtetasit e rajonit, njohja e diplomave universitare, dhe njohja e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve,

Nënshkrimi i këtyre 3 marrëveshjeve mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, vie pas gati dy viteve negociata.

Sot në kryeqytetin gjerman, Berlin po mbahet Samiti i Berlinit, ku nikoqir është kancelari gjerman, Olaf Scholtz.

Procesi i Berlinit u themelua në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel.

Kjo iniciativë kishte qëllim krijimin e platformës për bashkëpunim të nivelit të lartë midis përfaqësuesve të lartë zyrtarë  “Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor” ku bëjnë pjesë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Procesi përfshin gjithashtu institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile të rajonit.

Samiti i ardhshëm në kuadër të Procesit të Berlinit pritet të mbahet, vitin tjetër, në Tiranë.