Presidentja Osmani merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih të Gjermanisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar në Gjermani, për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih (MSC), sot, më 13.02.2025.

Konferenca e Sigurisë në Munih është një nga forumet me “prestigjioze globale për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme” – siç njofton Presidenca e Kosovës.

Gjatë këtij organizimi, presidentja Osmani pritet të zhvillojë një sërë takimesh.

“Presidentja Osmani do të zhvillojë takime me liderë botërorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të rëndësishme të politikës globale, me fokus forcimin e partneritetit strategjik dhe avancimin e interesave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.” – thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ndër të tjera, Osmani pritet të jetë pjesë edhe në Panelet e diskutimit, që do të organizohen gjatë Konferencës.

Konferenca e Sigurisë në Munih, e themeluar në vitin 1963, është një platformë e pavarur që synon promovimin e zgjidhjeve paqësore të konflikteve, Dialogut ndërkombëtar dhe bashkëpunimit në mes shteteve.

Ky organizim konsiderohet si forumi kryesor në botë për debatimin e politikave ndërkombëtare të sigurisë.