Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja Osmani me shefin e EULEX-it flasin për zhvillimet e fundit në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit si dhe bashkëpunimin e institucioneve shtetërore me ato ndërkombëtare.

Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për zbatimin e rendit dhe ligjit, si dhe për sigurimin e mbarëvajtjes dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Tutje sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, Osmani ka vlerësuar koordinimin e vazhdueshëm me EULEX-in.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës të Drejtorisë Mitrovica – Veri, Nenad Gjuriq, për shkak të refuzimit nga ai dhe vartësit e tij për t’u lëshuar ‘qortime’ pronarëve të veturave me targa ilegale.

Si reagim ndaj kësaj, Lista Serbe më 5 nëntor ftoi takim të jashtëzakonshëm me zyrtarë serbë – pjesë e institucioneve të Kosovës.

Pas kësaj mbledhjeje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e atë gjyqësor.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS, duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në stacionet policore në zonën e veriut të Kosovës ka pasur vazhdimisht zyrtarë policorë që kanë dorëzuar fletëdorëheqjet e tyre, ndërsa sot disa nga ta janë parë edhe duke dorëzuar armët e pajisjet e tjera.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM) do të marrin fletë-qortime.

Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.