Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Presidentja Osmani kërkon të ruhen raportet me aleatët: Kosova nuk mund të ecë vetëm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë që Kosova nuk mund të ketë asnjë sukses të qëndrueshëm pa bashkëpunimin dhe përkrahjen e aleatëve, duke përmendur me emra të përveçëm ShBA-në, Britaninë e Madhe dhe shtetet e BE-së.
“Nëse duam të kemi sukses në rrugën përpara duhet ta bëjmë këtë me aleatët. Nuk mund të ketë Kosova asnjë sukses të qëndrueshëm pa bashkëpunimin dhe mbështetjen e aleatëve. Pra edhe Kushtetuta edhe aleatët, asnjëra nuk e përjashtojnë njëra-tjerën”- tha Osmani për media, pas konferencës rajonale për gratë dhe paqen të mbajtur më 23.02.2024 në Prishtinë.
Duke e lidhur marrëdhënien e Kosovës me këto shtete, qoftë si falenderim për ndihmën gjatë luftës, qoftë për të garanatuar sigurinë e territorit të Kosovës ajo bëri thirrje që raportet me aleatët “t’i konsiderojmë jo vetëm të rëndësishme por ekzistenciale”.
“Kosova nuk mundet të ecë përpara vet. Asnjë shtet nuk mund të ecë vetë. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në çdo fjalim të presidentit Biden, në çdo deklarim të sekretarit Blinken apo zyrtarëve tjerë institucionalë kanë një narrativë: ‘ne duam të punojmë së bashku me partnerët dhe aleatët tanë’. Dhe kur kjo është e vërtetë për superfuqinë botërore si SHBA, është miliona herë më shumë vërtetë për një vend si Republika e Kosovës që është ndërtuar në themelet e saj, është sakrifica jonë, lufta jonë çlirimtare por njëkohësisht edhe mbështetja nga aleatët”- tha Osmani.
Sipas Osmanit, çështja e dinarit nuk është në fakt çështje e dinarit fare, sepse askush nga aleatet e Kosoves nuk është duke kërkuar që të mos zbatohet Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, por po kërkohet që të ndërtohet një plan tranzicioni që i merr parasysh nevojat e qytetareve të rëndomtë, të rinj e të moshuar, që marrin edhe ndihmë financiare nga Serbia nëpërmjet pensioneve.
Ajo shtoi që kjo çështje mund të zgjidhet këtu në Kosovë, në fakt nuk është dashur të bëhet çështje fare se nuk është dashur të krijohet si përplasje me aleatët.
Kosova po përballet me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-të, shkaku i refuzimit të kërkesës për moszbatim të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nuk e lejon asnjë valutë tjetër pos Euros, që të përdorët si mjet pagese.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”- tha Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, më 13.02.2024 në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Pavarësisht kësaj deklarate, kryeministri Albin Kurti vazhdon të jetë i bindur se partneriteti me SHBA-të nuk është vënë në rrezik.
“Kosova nuk ka partner, aleat dhe mik më të rëndësishëm se SHBA-ja. Kështu e konsideroj dhe kështu bashkëpunoj si kryeministër i Kosovës. Ne jemi një Republikë demokratike dhe Qeveria nuk imponohet mbi institucionet e pavarura shtetërore si Banka Qendrore”, tha Kurti më 14.02.2024 gjatë një vizite në Prizren.