Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Foto e publikuar nga von der Leyen në rrjetin social “X” më 26.10.2024.
Presidentja Osmani kërkon që të hiqen masat, von der Leyen thotë se ka ende punë
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka thënë që Kosova ka ende punë në mënyrë që shtetet shtetet anëtare të BE-së të vijnë në përfundim për heqjen e masave ndaj Kosovës.
Von der Leyen kështu tha në një konferencë të përbashkët presidenten Vjosa Osmani në Prishtinë, ku po qëndron për vizitë zyrtare që nga orët e para të mëngjesit, pas vizitave që pati në shtetet e rajonit.
Von der Leyen u prit në mëngjesin e 26 tetorit në Aeroportin e Prishtinës me mikpritje zyrtare nga zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi.
“Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat dhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare. Pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për heqjen e masave”- tha Von der Leyen më 26.10.2024.
Ajo shtoi se bashkë me presidenten Osmani, janë të përkushtuara që të gjejnë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime.
Për të, ajo tha se është e rëndësishme ta shohin Kosovën si partnere të BE-së, dhe ta bëjnë të mundur rrugën e Kosovës drejt shtëpisë europiane.
Ndryshe prej saj, presidentja Osmani tha se është koha që BE-ja t’i heqë masat ndaj Kosovës.
Sipas saj, masat ndaj Kosovës të vendosura në qershor të vitit të kaluar kanë dëmtuar procesin e Dialogut Kosovë-Serbi.
“Është koha e fundit që masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht. Përveç të padrejta, këto masa po dëmtojnë qytetarët dhe kanë dëmtuar procesin e dialogut duke e bërë atë tërësisht të pabalancuar, pabarabartë dhe të pakredibilitet”- tha ajo në konferencë për media.
Ndër të tjera, Osmani tha se heqja e masave është reflektim i nevojave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, por do ishte edhe përgjigje ndaj plotësimit të parakushteve që vetë BE-ja i kishte vënë në raport me Kosovën sa i përket këtyre masave.
Duke renditur disa nga sukseset e Kosovës, Osmani tha se Kosova po vepron me qasjen pro fqinjësisë së mirë. Ndërkaq për Serbinë tja se duhet të mbajë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.
“Është fat i keq për sigurinë e rajonit që në Ballkanin Perëndimor një shtet vazhdon të jetë sateliti më i fortë i Rusisë në Evropë, e ajo është Serbia”- tha ajo.
Sipas saj, është koha e fundit që vendosmëria që BE-ja ka shpërfaqur ndaj Rusisë, të tregohet edhe ndaj satelitëve dhe shërbyesve të Rusisë në rajonin tonë, duke e pasur këtu fjalën për Serbinë.
Tash e 16 muaj, kudo që shkojnë në takime përfaqësuesit shtetëror të Kosovës kërkojnë nga partnerët e shteteve respektive që vendit t’i hiqen masat e vëna nga Bashkimi Europian. Ndonëse kanë mbetur pak më shumë se dy muaj deri në përfundim të këtij viti kalendarik, shtetet e Bashkimit Europian ende nuk e kanë një qëndrim unik rreth heqjes së tyre. Masat ndëshkuese u aplikuan në qershor të vitit 2023, e shpresat që ato të hiqeshin sivjet ishin të mëdha në Kosovë.
Se kur pritet që këto masa të hiqen përfundimisht, Komisioni Europian nuk ka një përgjigje konkrete, përveç asaj se “diskutimet po vazhdojnë”.
“Diskutimet për heqjen e masave për Kosovën vazhdojnë mes shteteve anëtare në Këshill”- thotë zëdhënësi i Komisionit Europian, Peter Stano, në një përgjigje për KALLXO.com, më 24.10.2024.
Në muajin qershor 2024, kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borrell, ua kishte dorëzuar vendeve anëtare të BE-së raportin lidhur me masat që i janë vënë Kosovës. Në raport është bërë ishte vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit në maj dhe qershor të vitit 2023.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë.
Ndër masat e BE-së është edhe suspendimi i përkohësshëm i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Masat tjera janë suspendimi i programimit të fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit).
Kosova në pritje të heqjes së masave ndëshkuese, shtetet e BE-së “vazhdojnë diskutimet”