Foto: Screenshot, Qeveria e Kosovës

Presidentja Osmani kërkoi rritjen e mirëqenies së ushtarëve, ministri Maqedonci tregon objektivat

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka komentuar kërkesat e presidentes Vjosa Osmani të adresuara përmes fjalimit vjetor në Kuvendin e Kosovës, lidhur me mirëqenien ekonomike e sociale të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai ka thënë se fokusi i Qeverisë gjatë këtij mandati ka qenë plotësimi i sistemeve të armatimit, megjithëse sipas tij, “nuk është lënë anash as mirëqenia e pjesëtarëve të FSK-së”.

Sipas tij, çështja e transportit të ushtarëve është rregulluar si dhe janë rritur edhe pagat.

“Gjatë këtij mandati, Qeveria në vazhdimësi ka rritur buxhetin vjetor dhe normalisht fokusi ka qenë te plotësimi i sistemeve të armatimit që ka munguar në FSK. Ka qenë i nevojshëm plotësimi jo vetëm për arritje të objektivave të planit gjithëpërfshirës së tranzicionit, por edhe për shkak të zhvillimeve në Ukrainë dhe sulmit terrorist kundër vendit tonë, por duke mos lënë asnjëherë anash as mirëqenien e pjesëtarëve të FSK-së. Vitin e kaluar është nënshkruar kontrata për shërbime të transportit. Më herët transportimi i tyre është bërë kryesisht me automjete private ose ushtarake. Ka pasur rritje pagash dhe këto paga do të vazhdojnë të rriten”- u shpreh ai, më 27.11.2024.

Maqedonci ka thënë se janë duke e planifikuar çështjen e rrezikshmërisë dhe punës pas orarit përmes alokimit të një pjese të buxhetit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë adresimit vjetor në Kuvendin e Kosovës, më 21.11.2024, ka thënë se mirëqenia ekonomike e sociale e ushtarëve të Forcës të Sigurisë së Kosovës, motivimi dhe mbështetja e avancimit të tyre profesional duhet të shndërrohen në prioritet shtetëror.

E para e vendit tha se i ka mbështetur vazhdimisht kërkesat që ushtarakëve t’u mbulohen shtesat e rrezikshmërisë, punës pas orarit, mëditjet për trajnimet që zgjasin mbi një muaj dhe programet tjera mbështetëse.

“Armatimi është i rëndësishëm por ai ka kuptim kur prapa armës qëndron ushtaraku i motivuar dhe mbështetur”- tha ajo, duke ju drejtuar Kuvendit të Kosovës, dhe duke përkujtuar se praktika parlamentare ua lejon që nëpërmjet procedurës të shmangies së Rregullorës së Punës të paraqesin amenadamente edhe në seancë.

Osmani u tha deputetëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi, që të propozojnë që buxhetit të FSK-së t’i shtohet shuma e duhur.

Presidentja Osmani: Armatimi ka kuptim kur prapa armës qëndron ushtaraku i motivuar