Presidentja Osmani: Kemi nevojë për më shumë gra në struktura udhëheqëse

Presidentja, Vjosa Osmani në “Ditën globale të Kombeve të Bashkuara për gratë, paqen dhe sigurinë në Kosovë”, ka thënë se Kosova ka nevojë për më shumë gra në struktura udhëheqëse.

Osmani tha se kjo bazohet në fakte dhe prova të qarta se gratë mund të jenë në struktura udhëheqëse.

Tutje ajo tha se dëshmi e kësaj është prezenca dhe suksesi i vajzave dhe grave në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policinë e Kosovës (PK).

“Ne kemi nevojë për më shumë gra në struktura udhëheqëse, kjo nuk është thjeshtë një dëshirë, kjo bazohet në fakte dhe prova të qarta se gratë mund ta bëjnë ketë sepse shoqëria jonë e dëshiron ketë, ka nevojë por ketë dhe është e gatshme ta garantojë ketë. Dëshmi e kësaj është prezenca dhe suksesi i vajzave dhe grave tona në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Policinë e Kosovës”, tha Osmani.

Presidentja Osmani tha se gradimi Irfete Spahiut si gjeneral majorja e parë në historinë e Kosovës ka qenë një prej momenteve më krenare të punës së saj si presidente.

Në konferencën e organizuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Osmani tutje ka folur edhe për situatën e krijuar në luftën në Ukrainë.

“Ky takim po ndodh kur paqja, liria dhe siguria janë sulmuar serish në zemër të Evropës dhe kur vajzat dhe gratë e Ukrainës janë cak i dhunës dhe torturës andaj përderisa jemi dëshmitar të këtyre vuajte është më se e natyrshme që si Kosovë angazhohemi brenda kësaj agjende”, tha Osmani.

Ajo shtoi se Kosova sivjet për herë të parë do të organizojë forumin ndërkombëtar për gratë, paqen dhe sigurinë.

“E mirëpres faktin që Kosova është pjesë e hartës së ditëve të hapura globale që në qendër të vemendjes e kanë gratë, paqen dhe sigurinë. Më 22 dhe 23 tetor me ministrinë e punëve të jashtme dhe në bashkëpunim me partner të shumtë do ta bëjmë Kosovën pjesë e diskutimeve globale mbi rëndësinë e kësaj agjende”, tha Osmani.

Të nisura në tetor të vitit 2010 nga Kombet e Bashkuara në përkrahje të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit 1325 (2000) për gratë, paqen dhe sigurinë, ngjarjet e Ditës së hapur globale janë të parapara për t’ju ofruar mundësi grave dhe burrave në mbarë botën që t’i vejnë në pah përvojat, sfidat, kontributet dhe përpjekjet e tyre në avancim të paqes dhe sigurisë.

Dita e hapur globale e këtij viti, e titulluar Thyerja e barrierave dhe ndërtimi i paqes: avancimi i pjesëmarrjes së gruas në proceset politike do të trajtojë rëndësinë e pjesëmarrjes ndikuese në vendimmarrje dhe ndërtimin e paqes.