Presidentja Osmani ia vazhdon mandatin EULEX-it

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nëpërmjet një letre drejtuar Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell Fontelles, e ka njoftuar atë për vazhdimin e mandatit të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX-it edhe për një vit.

Siç njofton Zyra e Presidentit, në  letrën drejtuar Borellit, Osmani ka njoftuar se EULEX-i do të jetë me mandat teknik, pa fuqi ekzekutive dhe i bazuar vetëm në monitorim, mentorim dhe këshillëdhënie, bazuar në letërkëmbimin e vitit 2018 dhe kërkesave të paraqitura nga presidentja i në letrën e dërguar më 14 qershor.

“I njëjti mandat mund të vazhdohet edhe për një vit tjetër, në rast të vlerësimit pozitiv të punës së këtij misioni nga Presidentja e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Tutje theksohet se presidentja Osmani ka propozuar që me kërkesë dhe bazuar në nevojat e identifikuara nga institucionet e Republikës së Kosovës – institucionet e BE-së ofrojnë ekspertizë, shërbime këshilluese si dhe ndihmë financiare, në çështjet që lidhen me proceset e reformës në drejtësi.

Po ashtu,  Osmani ka ftuar EULEX-in për mbështetje teknike e këshillëdhënëse në çështjet që derivojnë nga Konventa e Stambollit për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

“Më tej, në letër, Presidentja Osmani ka rikonfirmuar përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për ta garantuar sundimin e rendit dhe ligjit, përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA-ja dhe avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, thuhet në komunikatë.

Sipas Presidencës, ky mandat i EULEX-it është mandat teknik, i bazuar ekskluzivisht vetëm në rol këshillëdhënës, mentorues dhe monitorues në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.