
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën e përbashkët mes Kuvendit të Kosovës e Kuvendit të Shqipërisë, 20.12.2024, Foto: Antigona Isufi/KALLXO.com
Presidentja Osmani ia bën të ditur dy Qeverive se 'Lugina ka nevojë për ne'
Vjosa Osmani, presidente e Kosovës ua ka bërë me dije dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, se shqiptarët e Luginës së Preshevës i kanë sytë nga nga Kosova dhe Shqipëria.
Presidentja Osmani kështu tha në fjalimin e saj, ndër të tjera, në seancën e përbashkët mes Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë sot, më 20.12.2024.
“Shqiptarët e Luginës i kanë sytë kah na. Bota demokratike nuk po i sheh”- u drejtua Osmani para dy kryeministrave Albin Kurtit e Edi Ramës, ministrave e deputetëve të dy shteteve.
Në seancë i pranishëm është edhe deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Mijëra shqiptarëve etnikë nga tri komuna në Serbinë jugore, Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, u janë shënjuar adresat si “joaktive” prej autoriteteve të atjeshme serbe. Kjo nënkupton se ata nuk mund t’i përtërijnë dokumentet e tyre të identifikimit, ose të ushtrojnë të drejtat e tyre që kërkojnë letërnjoftimet, si votimi. Kjo ka shkaktuar një mori protestash në rrugë gjatë muajve të fundit të vitit 2024.
Duke i përmendur me rend të përbashkëtat e Kosovës dhe Shqipërisë që nga rrënjët identitare, historinë e deri te rruga europiane, presidentja Osmani, tha që lidhja mes Kosovës dhe Shqipërisë është e thellë, lidhen thellë në sakrifica.
“Le t’i afrojmë dy shtetet tona çdo ditë e më shumë. Krah për krah, ashtu siç kemi bërë gjithmonë”- tha Osmani.
Osmani tha se Shqipëria dhe Kosova nuk janë vetëm dy shtete të pavarura, por janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh, të bashkuar nga një histori e lavdishme dhe një ardhme e ndritur e cila po ndërtohet dita ditës.
“Prosperiteti i Kosovës dhe Shqipërisë është detyrë që na përket të gjithëve, liderëve, institucioneve dhe të gjithë qytetarëve. Secili prej nesh duhet ta luaj rolin e tij në avancimin e vizionit të shteteve dhe qytetarëve tanë brenda familjes së kombeve evropiane”- shtoi Osmani.
Kryekuvendari Glaul Konjufca, e cilësoi këtë seancë si historike, pasiqë po ndodhë për herë të parë në Kuvendin e Kosovës.
“Ky bashkim përbën më shumë se simbolikën mes institucioneve tona. Kjo seancë që ne jemi bashkë në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht”- tha Konjufca gjatë fjalës së tij, duke nisur këtë fjalim me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.
Kryekuvendari kosovar tha se Kosova dhe Shqipëria kanë ideale të përbashkëta, dhe poashtu synojnë të njëjtën familje, “rrugën tonë të përbashkët europiane”.
Homologia nga Shqipëria, Elisa Spiropali nisi fjalimin e saj, tha që edhe pse është e lindur në Shqipëri, me shpirt është nga Prishtina e nga Gjakova.
“Jemi një gjak e një gjuhë. Ne që po takohemi jemi pak. Duhet të ishim më shumë. Aq shqiptarë sa ka bota. Nuk ka problem që nuk na zë kjo sallë. Na zënë sallat tjera. Ose pllajat tona…”- tha Spiropali.
Në fjalimin e saj, ajo tha se duhet të takohen sa më shumë së bashku “derisa Adem Jashari të lëvizë në varr”.
Spiropali tha që i sheh si akte të ulëta sulmet në veri të vendit nga Serbia që e mbajnë në makth Kosovën, duke e quajtur Serbinë si “gjarpër i sapozgjuar”.
Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Shqipërisë po të mbajnë një seancë të përbashkët më 20.12.2024.
Kjo është hera e dytë që Kuvendet e dy vendeve mbajnë seancë të përbashkët. Herën e kaluar, deputetët u bënë bashkë në ambientet e Kuvendit shqiptar për shënimin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 28.11.2022.
Ndërsa, mbledhja e përbashkët e dy Qeverive, e planifikuar për 14.06.2023, ishte anuluar njëanshëm nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, një ditë para se mbledhja të mbahej.
Pas këtij vendimi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e pati ‘kushtëzuar’ takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive.
Mbledhja e fundit mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është mbajtur më 20.06.2022.