Presidentja Vjosa Osmani me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe kryeministrin e Holandës, Dick Schoof, 14.02.2025, Foto: Vjosa Osmani/Facebook

Presidentja Osmani fotografohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe me kryeministrin holandez

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka publikuar një fotografi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe me kryeministrin e Holandës, Dick Schoof. 

Presidentja Osmani i ka përshkruar Sekretarin Rutte dhe kryeministrin Schoof si “dy përkrahës të fuqishëm të paqes e sigurisë në Kosovë”.

Osmani po qëndron në Mynih të Gjermanisë, ku po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë, e cila ka filluar të premten, më 14.02.2025 dhe do të zgjasë për tri ditë.

Gjatë ditës, Osmani u takua me anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se në këtë takim diskutuan për situatën e sigurisë në rajon dhe thellimin e bashkëpunimit.

“Diskutuam për situatën e sigurisë në rajon, thellimin e bashkëpunimit tonë për të ardhmen euro-atlantike të shteteve tona dhe rëndësinë që Kosova dhe Bosnje e Hercegovina të përparojnë tutje në këtë rrugëtim”- thuhet në komunikatën e Presidencës më 14.02.2025.

Bosnje e Hercegovina ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17.02.2008.

Osmani është takuar edhe me Peter Sorensen, përfaqësues i ri i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi.

Osmani ka njoftuar se më Sorensenin ka biseduar për zhvillimet e fundit në vend dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit.

Përveç Osmanit, në Konferencën e Sigurisë në Mynih po merr pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz. 

Të shtunën më 15.02.2025, në sesionin “Siguria Euro-Atlantike dhe Sfidat Rajonale”, sipas agjendës të Konferencës, pritet të flasë presidentja Osmani, për tematikën e titulluar “Megjithatë, ajo vazhdoi: Duke u përballur me reagimin global gjinor”.

Në bazë të kësaj agjende të publikuar në ueb-faqen zyrtare të Konferencës së Mynihut, nuk paralajmërohet që Kurti dhe Gërvalla të flasin në kuadër të sesioneve.

Konferenca e Sigurisë e Mynihut 2025 do të trajtojë disa tema kryesore të sigurisë globale, duke përfshirë kërcënimet globale të sigurisë, luftërat hibride dhe kërcënimet në rajone të ndryshme, si Deti Baltik, diskutime mbi rolin e Bashkimit Europian, SHBA-së dhe Kinës në sigurinë globale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Pos këtyre do të diskutohet edhe për trajtimin e çështjeve të stabilizimit të Lindjes së Mesme, mundësitë për paqe dhe çështjet e sigurisë në rajone si Afrika dhe Republika Demokratike e Kongos; për investimet strategjike dhe të ardhmen e bashkëpunimit të sigurisë SHBA-Ukrainë, me pjesëmarrjen e Presidentit Zelenskyy; diskutime mbi përpjekjet për luftimin e financimit të terrorizmit dhe rolin e institucioneve financiare ndërkombëtare në këtë luftë.

Këtë vit shënohet edicioni i 61-të i kësaj konference që njihet si qendra e diplomacisë ndërkombëtare.

Konferenca e Sigurisë së Mynihut është forumi kryesor në botë për debatimin e politikave ndërkombëtare të sigurisë dhe për nismat diplomatike për të adresuar shqetësimet më të ngutshme të sigurisë në botë.