Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, 19.08.2024. Foto: Vjosa Osmani, Facebook

Presidentja Osmani flet për Urën e Ibrit me Komandantin e KFOR-it: Suksesi afatgjatë arrihet me aleatët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, sot më 19.08.2024.

Në foton e përbashkët që e ka shpërndarë, presidnetja nuk ka dhënë detaje nga takimi, por ka thënë se suksesi afatgjatë e i qëndrueshëm arrihet gjithnjë bashkë me aleatë.

“Hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie” – ka shkruar presidentja Osmani.

Hapja e Urës së Ibrit po synohet nga Qeveria e Kosovës, mirëpo është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë KFOR-in, e cila insiston se kjo temë duhet të diskutohet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidentja Osmani ka kundërshtuar fuqishëm idenë e diskutimit të kësaj teme në dialog, sepse sipas saj kjo është antikushtetuese dhe kundër sovranitetit të Koosvës.

“Nuk kemi çka e pyesim Serbinë … Nuk ka çka pyetet Serbia për një urë që është brenda territorit të Kosovës”- ka thënë Osmani më 15.08.2024.

Bashkimi Europian ka planifikuar që ta vendosë “statusin” e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, Ambasadori i ShBA-ve, Jeffery Hovenier ka deklaruar më 13.08.2024 se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, më 14.08.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt “e aq më pak kundër partnerëve ndërkombëtarë” për çka edhe shtoi se janë duke vazhduar koordinimin për këtë çështje. 

Ministria e Infrastrukturës në orët e mbrëmjes së 13.08.2024 ka publikuar raportin që thotë se Ura e Ibrit është mjaftueshëm stabile për qarkullimin e veturave – gjë që u hap rrugë autoriteteve kosovare që ta hapin urën, ashtu siç po mëtojnë javët e fundit.

Raporti është përpiluar nga kompania “IPE-PROING”, e cila ka bërë matjet dhe testimet me mauna mbi Urë, gjatë javës së kaluar.

Riaktualizimi i temës së hapjes të Urës së Ibrit u bë që nga 31.05.2024, kur asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.

Vendimi për hapjen e urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.

Kjo urë ka një sërë historish për vite me radhë. Rivitalizimi 1.5 milionësh ishte përfunduar nga Bashkimi Europian më 2018.