Presidentja Osmani flet për Reuters: Kosova e hapur për zgjedhje në veri
Kosova mund të organizojë zgjedhje të reja në komunat me shumicë serbe në veri të vendit pas protestave të dhunshme, nëse 20% e votuesve nënshkruajnë një peticion duke i kërkuar ato, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve, Reuters të mërkurën.
Presidentja Vjosa Osmani tha se beson se një peticion është mënyra më “demokratike” për të organizuar zgjedhjet e reja.
“Para së gjithash, ne po diskutojmë për zgjedhje të reja, zgjedhje të parakohshme, të cilat mendoj se është një hap i madh drejt shtensionimit dhe ofron një zgjidhje afatgjatë sepse u jep serbëve që jetojnë në veri një instrument për të zgjedhur kryetarët e komunave” – tha ajo.
“Në këtë mënyrë mendoj se do të siguronim pjesëmarrjen e serbëve sepse kërkesa do të kishte ardhur fillimisht nga ata, nga qytetarët” – tha Osmani.
Osmani u pyet edhe për qëndrimin e trupave të KFOR-it në vend.
Ajo tha se qëndrimi i tyre është i domosdoshëm derisa të anëtarësohet Kosova në NATO.
“Do të thosha të paktën derisa Kosova të anëtarësohet në NATO, gjë që çdo ditë e më shumë po del të jetë e nevojshme. Natyrisht, trupat e KFOR-it janë dëshmuar të jenë të domosdoshme, duke përfshirë edhe dy ditët e fundit. Dua të tregoj vlerësimin e popullit të Kosovës për rolin e tij, për mbështetjen e tij për paqen dhe sigurinë. Dhe në të njëjtën kohë, natyrisht, të dënojmë dhunën që është ushtruar ndaj tyre” – tha presidentja Osmani.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, pasi për më shumë se dhjetë ditë, serbë lokalë po protesojnë në afërsi të komunave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë kërkuar edhe mbajtjen urgjente të zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve në këto zgjedhje dhe fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Një ndër kërkesat e SHBA-së ka qenë që kryetarët e zgjedhur të mos e ushtrojnë detyrën e kryetarëve në objekte komunale por në ndërtesa alternative dhe që Policia e Kosovës të tërhiqen nga objektet komunale.
Kryeministri i vendit Albin Kurti e ka ripërsëritur se për sa kohë do ketë persona të dhunshëm para objekteve të komunave, policia do vazhdojë të qëndrojë atje.
Në anën tjetër Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që t`i zhvendos zyret e kryetarëve dhe po ashtu ta tërheqë policinë nga objektet komunale.
Kurse Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, javën e kaluar e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.