Presidentja Osmani flet për marrëveshjen e Washingtonit, Avdullah Hoti e kundërshton

Presidentja e Vjosa Osmani gjatë fjalimit vjetor në Kuvendin e Kosovës para deputetëve ka folur edhe për një nga pikat e marrëveshjes së Washingtonit.

Osmani ka thënë se pranimi i një pike të tillë e ka cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Kosova ka miq dhe aleatë të rinj dhe të vjetër në të gjitha kontinente, që janë të palëkundur në mbështetjen që na japin në rrugëtimin tonë të drejtë të qenit anëtar me të drejta të plota dhe të barabarta në komunitetin ndërkombëtar. E gjitha kjo ka ndodhur përkundër një starti jashtëzakonisht sfidues. Duke aplikuar një politikë të jashtme tërësisht pasive, të çakorduar në të kaluarën, e fatkeqësisht duke e pranuar moratoriumin që cenonte rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për konsolidimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar”, ka thënë presidentja Osmani.

E lidhur me këtë deklarim ka reaguar edhe Avdullah Hoti përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ai ka ngritur pyetje se si mund të cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë.

“Si mund të cenohet rendi kushtetues i Kosovës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, e cila e mbron shtetësinë e Kosovës më shumë se disa politikanë dhe bartës institucionesh në Prishtinë?!” ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se ekzistenca e Kosovës rrezikohet kur cenohen raportet me mikun më të madh të Shtetit të Kosovës, SHBA-në.

“E vërteta është se vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës rrezikohet kur cenohen raportet me mikun më të madh të shtetit të Kosovës, SHBA-në”, ka thënë Hoti.