Presidentja Osmani fiton çmim ndërkombëtar dedikuar të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit

Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, do t’i ndahet çmimi M100 Media Award më 12.09.2024, çmim që u jepet personaliteteve që janë të përkushtuar për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit dhe mbrojtjes së vlerave europiane.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, presidentja Osmani ka njoftuar se është hera e parë që dikush nga Ballkani Perëndimor e fiton këtë çmim.

Ajo tha se çmimi është rezultat i një pune që është bërë bashkërisht duke e promovuar Kosovën dhe shtyllat në të cilat qëndron shteti i Kosovës.

“M100 është siç e përmendët është një konferencë ndërkombëtare që mbahet çdo vit, i dedikohet vlerave europiane si janë të drejtat e njeriut, demokracia dhe sundimi i ligjit dhe përveç politikanëve, zyrtarëve shtetërorë nga vende të ndryshme të Europës, në Gjermani mbledhin edhe media të ndryshme për t’i mbrojtut këto vlera. Për vite me radhë shumë liderë europianë e kanë fituar ketë çmim, në këtë rast me nderin që i është bërë Kosovës ku jam përzgjedhur si laureate e këtij çmimi është hera e parë që dikush nga i gjithë Ballkani Perëndimor e fiton ketë çmim”- ka thënë Osmani.

Osmani tha se si presidencë gjatë tri vite e gjysmë kanë arritur të jenë në organizime që Kosova asnjëherë nuk ka qenë.

“Integrimi në struktura euroatlantike është shumë më shumë se sa një anëtarësim në organizata, është vetë prezenca dhe imazhi që e krijon një shtet në organizata. Ne kemi arritur si presidencë që përgjatë këtyre tri vite e gjysmë të jemi në organizime që Kosova asnjëherë nuk ka qenë. Është historike që Kosova në këto 75 vjet histori të ekzistimit të NATO-s është ftuar të jetë Kosova edhe pse nuk jemi anëtar, as s’e kemi statusin e shtetit partner”- ka thënë ajo.

M100 Media Award M100 Sanssouci Colloquium është një forum ndërkombëtar që mbahet një herë në vit që nga viti 2005 në qytetin e Potsdamit.

Ky forum ndërkombëtar drejtohet konceptualisht nga një bord këshillues i përbërë nga gazetarë të njohur dhe personalitete të ndryshme gjermane dhe ndërkombëtare, të cilët takohen në intervale të rregullta.

Përveç kësaj, ky bord këshillues vepron si juri për M100 Media Award dhe udhëhiqet nga kryebashkiaku i qytetit të Potsdamit, Mike Schubert.

Nominimi i presidentes Osmani është bërë nga juria e tij, propozim i mbështetur me unanimitet të plotë nga të gjithë anëtarët e jurisë.

Ky çmimi u jepet personaliteteve që janë të përkushtuar për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit dhe mbrojtjes së vlerave europiane.

Kemi kuptuar se në garë për këtë titull kanë qenë edhe personalitete të ndryshme europiane, përfshirë presidentë dhe kryetarë qeverish.

Përpos presidentes Osmani, laureat i këtij çmimi është edhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk. Fjalën kryesore me këtë rast do ta mbajë kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.

Presidentja Vjosa Osmani është liderja e parë nga Ballkani që nderohet me çmimin ndërkombëtar M100 nga Sanssouci Colloquium.

Në njoftimin e publikuar nga M100 thuhet se presidentja Osmani “është e përkushtuar për demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe për integrimin e Republikës së Kosovës në strukturat euroatlantike. Ajo angazhohet për mbrojtjen e demokracisë dhe lirisë si arritje thelbësore, përkundër të gjitha kërcënimeve dhe pengesave”.

Presidentja Vjosa Osmani është nderuar në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës – një sinjal i qartë se Kosova i takon familjes dhe vlerave europiane.

Me këtë çmim janë nderuar edhe personalitete të ndryshme europiane Hans-Dietrich Genscher, Bernard Kouchner, Mario Draghi, Vitali Klitschko, Alexei Nawalny, populli ukrainas dhe Lëvizja për Lirinë e Jetës së Grave Iraniane.