Foto: Zyra e Presidentes

Presidentja Osmani falënderon komunat e Ulqinit dhe Tuzit për strehimin e kosovarëve gjatë luftës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës zyrtare në Mal të Zi ka vizituar komunat e Ulqinit dhe Tuzit.

Kështu ka njoftuar Zyra e Presidentes përmes një komunikate për media ku u bë e ditur se në Ulqin, presidentja Osmani u prit nga kryetari i komunës, Omer Bajraktari dhe se në këtë takim Osmani shprehu mirënjohje për kontributin e komunës së Ulqinit më 1999, me strehimin e qytetarëve nga Kosova gjatë periudhës së luftës.

Foto: Zyra e Presidentes

“Ulqini është pikëtakim i shqiptarëve, pavarësisht nga vijnë ata. Me Ulqinin na lidhin jo vetëm raportet familjare, vëllazërore e miqësore, por edhe kujtesa nga ditët e vështira të historisë sonë më të re. Ulqini, Ana e Malit e shumë vendbanime të tjera në Mal të Zi më 1999 u bënë strehë për shumë kosovarë, të cilëve ju i hapët dyert dhe zemrat, ndaj në emër të qytetarëve të Kosovës, faleminderit!”-njoftohet të ketë thënë Osmani.

Gjatë qëndrimit në Ulqin, Presidentja Osmani realizoi takime të ndara dhe me përfaqësuesit e partive shqiptare në Mal të Zi, si dhe me një grup intelektualësh e miqsh të Kosovës.

FOTO: Zyra e Presidentes

Ndërkaq në komunën e Tuzit, presidentja Osmani u prit në takim nga kryetari Nik Gjeloshaj, me të cilin u diskutua për zhvillimet në këtë komunë dhe sfidat me të cilat përballen.

Foto: Zyra e Presidentes

“Presidentja Osmani shtroi nevojën e rritjes së bashkëpunimit të Ulqinit e Tuzit me institucionet lokale në Republikën e Kosovës, por edhe me institucionet qendrore, në funksion të shkëmbimit ekonomik, kulturor, turistik, si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm” – është thënë në njoftim.

Tutje, u bë e ditur se në Tuz, presidentja Osmani vizitoi edhe fabrikën e prodhimit të patatinave, e cila është një ndër investimet më të mëdha të huaja në Mal të Zi me investitor nga Kosova.

“Gjatë qëndrimit në Tuz, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për  mikpritjen dhe bujarinë e dëshmuar në vitin 1999. Ajo foli për miqësinë e raportin unik, si dhe përkushtimin për intensifikim të bashkëpunimit në të ardhmen”- është theksuar në njoftim.

FOTO: Zyra e Presidentes