Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Presidentja Osmani ende nuk ka pranuar listën e diplomatëve për dekretim

Presidentja Vjosa Osmani ende nuk ka pranuar listën e diplomatëve të cilët duhet të dekretohen për të shërbyer në misione diplomatike.

Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për KALLXO.com, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.

“Deri tashti, Presidentes nuk i ka ardhë asnjë propozim për dekretim. Sapo të vijnë propozimet për dekretim, Presidentja do t`i nënshkruaj ato.  Do të respektohet ligji sa i përket kuotës 50-50”, tha Kupina.

Nga MPJD në një përgjigje të dhënë ditë më parë, për KALLXO.com, kanë deklaruar se procesi i emërimit të diplomatëve të ri, do të përmbyllet brenda pak ditësh.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), është në fazën e finale të përmbylljes së këtij procesi. Të gjitha detajet lidhur me emërimin e ambasadorëve do të bëhen të ditura për opinionin brenda pak ditësh”, thuhet në përgjigjet e MPJD-së.

Në maj të këtij viti, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla kishte kërkuar nga presidentja e vendit që t’i liroj nga detyra 12 ambasadorë politik.

Ambasadorët e shkarkuar kanë shërbyer në: Gjermani, Shqipëri, Çeki, Holandë, Hungari, Kroaci, Slloveni, Maqedoni e Veriut, Australi, Mali i Zi, Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe në Katar.

MPJD: Për pak ditë përmbyllet procesi për emërimin e 12 ambasadorëve të rinj