Presidentja Osmani: Ekrem Rexha, bëri në luftë aq sa bëri në paqe  

Në 21 vjetorin e vrasjes së Ekrem Rexhës, ish komandant “Drini”, presidentja e vendit e ka kujtuar duke bërë publik një status në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook. Osmani, ndër të tjera ka shkruar se komandant Drini ishte luftëtari i devotshëm i UÇK-së dhe çlirimtari me integritet, i cili lirinë e kuptoi si themelin e shtetit.

“Ai sa bëri në luftë, bëri në paqe, duke u shndërruar në modelin e njeriut që luftën për atdhe e bëri për të mirën e përgjithshme”, ka shkruar Osmani – Sadriu.

Ajo ka përmendur edhe faktin se edhe 21 vjet pas vrasjes së Ekrem Rexhës, drejtësia nuk është vendosur.

“Drejtësia ende nuk është vënë në vend”, ka shkruar Osmani, duke shtuar se “ne e kujtojmë me përulje njeriun që la vepra, të cilat do jenë udhërrëfyese dhe shëmbëlltyrë se si luftohet dhe si ndërtohet paqja e shteti”.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për komandant Drinin!”, ka shkruar presidentja Osmani, duke shpërndarë me statusin e saj edhe një foto të Ekrem Rexhës të bërë me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.