Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani/ Foto: ZPRK
Presidentja Osmani e ndërlidhë heqjen e masave të BE-së me organizimin e zgjedhjeve në veri
“Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës është e lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në veri”. Kështu ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas konferencës rajonale: “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325- Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”, e mbajtur më 23.02.2024. Në këtë kontekst, ajo ka shtuar se është e domosdoshme të ecet përpara, “natyrisht në përputhje me ligjin dhe procedurat e parapara”.
Pas procedimit të nënshkrimeve nga qytetarët në veri, Osmani tha se do të mblidhet KQZ-ja për ta miratuar planin operacional dhe të gjitha datat dhe procedurat e tjera, përfshirë këtu edhe afatin kur do të bëhet largimi i kryetarëve.
“Menjëherë mbasi të konfirmohen rezultatet për largimin e kryetarëve që kërkojnë mbi 50 përqind të të gjithë trupit votues që të votojnë pro, dhe në qoftë se ndodh një gjë e tillë, në mes 30 dhe 45 ditëve, unë si presidente caktoj zgjedhjet e reja lokale”- bëri të ditur Osmani.
Ndër tjera, Osmani foli edhe në lidhje me masat e BE-së ndaj Kosovës duke thënë se çështjen e dialogut Kosovë- Serbi e ka dëmtuar mungesa e ekuilibrit.
“Kjo jo vetëm që e dëmton dialogun, por edhe e inkurajon Serbinë që të vazhdojë me veprime destabilizuese në rajonin tonë”- shtoi ajo.
Bashkimi Evropian, më 28.06.2023, ka aplikuar masa kufizuese ndaj Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri pas zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit.
Kryetarët shqiptarë morën pushtetin në këto komuna në fund të muajit maj 2023, por qytetarët serbë të cilët i bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit, nuk i pranuar rezultatet e tyre, dhe së voni pranuan ta shfrytëzojnë opsionin e mbledhjes së nënshkrimeve për t’i rrëzuar kryetarët shqiptarë.
Një Udhëzim Administrativ u nxor në fillim të shtatorit 2023 nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, me qëllim për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.