Presidentja Osmani e kthen në Kuvend Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Kosovës

Presidentja, Vjosa Osmani, më 18.11.2024 ka marrë vendim për ta kthyer në rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës, Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

Ky ligj është miratuar në Kuvend më 31.10.2024.

Sipas këshilltarit për media të Osmanit, Bekim Kupina, Ligji për Këshillin e Sigurisë është kthyer për shkak se me përmbajtjen aktuale e rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.

Në arsyetim, Osmani thekson se Ligji i miratuar nga Kuvendi ka fshirë të gjitha dispozitat e ligjit paraprak, me të cilin rregullohet mandati, funksionimi, kompetencat dhe përbërja e Këshillit në gjendje të jashtëzakonshme, duke arsyetuar se në mungesë të një ligji tjetër në fuqi që e rregullon këtë fushë, funksionimi i Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme mbetet krejtësisht i parregulluar, duke e rrezikuar sigurinë kombëtare të shtetit.

Osmani në arsyetim ka përmendur se Ligji në fjalë bie në kundërshtim me nenin 125 (2) dhe nenin 127 (3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Ne këtë drejtim, mospërfshirja e dispozitave që rregullojne finksionimin e Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme krijon një vakuum juridik i cili ua pamundëson institucioneve të Republikës së Kosovës që janë pjesë e Këshillit mbrojtjen e sigurisë kombëtare, sigurisë publike dhe të drejtave të qytetarëve të saj në situatat kur shpallet gjendje e jashtëzakonshme. Në të njejtën kohë, ky vakuum e pamundëson edhe vetë qëllimin e përcaktuar me Ligjin e miratuar, sepse e pengon ‘bashkërendimin dhe bashkëpunimin institucional në fushën e sigurisë kombëtare pikërisht në momentet kur ai është tejet esencial’”- thuhet në arsyetim.

Osmani në vendimin e saj ka renditur edhe pasojat e zbrazëtirave ligjore në Ligjin për Këshillin e Sigurisë, duke thënë se miratimi i një ligji të ri i cili krijon zbrazëti ligjore pikërisht në një fushë e cila ndërlidhet ekskluzivisht me kufizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, bie ndesh me standardet dhe praktikën e krijuar nga Gjykata Kushtetuese.

Me ligjin që është ende në fuqi [03/L-050], përcaktohet që gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ushtron autoritet dhe përgjegjësi ekzekutive në emër të Qeverisë, të kufizuar në kohë dhe në veprime të cilat konsiderohen të nevojshme për të tejkaluar atë situatë emergjente.

Ndërsa, me ligjin e miratuar së fundmi, funksionimi i Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme parashihet të rregullohet me Ligjin përkatës për gjendjen e jashtëzakonshme.

Në Kosovë, aktualisht, nuk ka ligj përkatës që e rregullon ketë fushë.

Sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme, kur: ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes; ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike; ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij.

Po të njëjtën ditë, e para e shtetit e ka kthyer për rishqyrtim edhe Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit.

Gjatë mandatit të saj si presidente, kjo është hera e parë që Osmani ka kthyer ligje për rishqyrtim në Kuvend.

Sipas Kushtetutës, në këtë situatë, Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës, dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur.

Presidenti i Republikës së Kosovës të drejtën e kthimit të një ligji në Kuvend, mund ta ushtrojë vetëm një herë.

 

Shënim: Artikulli është përditësuar në ora 14.58 me paragrafët shpjegues të Ligjit në fuqi të Këshillit të Sigurisë dhe Ligjit të miratuar së fundmi në Kuvend.