Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Presidentja Osmani: Duhet të bëhen publike pikët e vlerësimit në proceset e rekrutimit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka vlerësuar se për procese për pozita të larta drejtuese duhet të respektohet në plotëni parimi i transparencës.

Lidhur me procesin për Kryeprokuror të Shtetit dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, presidentja tha që pikët duhet të bëhen publike për shkak të interesit publik.

“Unë nuk shoh asnjë arsye që të mos bëhen publike, sepse proceset që të dyja janë të interesit publik, pra nuk janë procese private dhe nuk jemi këtu duke determinuar ndonjë procedurë, ose duke marrë ndonjë vendim që e afekton privatisht dikë, por e afekton interesin publik”, tha ajo.

Në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, presidentja Osmani ka thënë se në procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit transparenca është esenciale.

“Sa i përket zgjedhjes së Kryeprokurorit mendoj që kjo është esenciale, sa i përket Gjykatës Kushtetuese nuk i di detajet pse një gjë e tillë nuk është lejuar, sa e di në të kaluarën ka pasur një procedurë tjetër, mirëpo mendoj që te Gjykata Kushtetuese si instanca më e lartë që e interpreton Kushtetutën, është interes i lartë publik të dihet si ka shkuar procesi”, ka thekuar ajo.

Osmani ka thënë se modelet e mira të britanikëve për rekrutim duhet të merren edhe nga Kosova.

“Deri tani nuk kam marrë ndonjë informatë se përse nuk është lejuar publikimi i pikëve, një procedurë e cila ka ardhur si propozim i britanikëve, ato që janë modele të mira, ne duhet t’i marrim. Nuk shoh asgjë të keqe në bërjen publike të këtyre pikëve, mendoj që i jep më shumë kredibilitet procesit, dhe kur procesi ka kredibilitet nuk mund të kontestohet nga askush”, ka theksuar ajo.

BIRN Kosova që nga viti 2020 kur edhe ka nënshkruar projektin me Ambasadën britanike në Kosovë në lidhje me memorandumin me Qeverinë e Kosovës dhe Kuvendin e Kosovës, që parasheh të drejtën e shoqërisë civile për monitorimin e proceseve rekrutuese për pozitat e larta në Republikën e Kosovës të parapara në memorandum, ka monitoruar në vazhdimësi me dhjetëra procese të rekrutimit për pozitat e larta në vendin tonë.

Duke parë që në proceset të cilat janë asistuar nga ekspertët britanikë janë respektuar në plotëni parimet e transparencës dhe publicitetit, BIRN në vazhdimësi ka kërkuar nga institucionet tona që edhe në proceset të cilat nuk asistohen nga ekspertët britanikë të respektohen këto parime bazë.

BIRN ka raportuar se si në procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve të Kushtetueses, ashtu edhe në procesin për zgjedhje të Kryeprokurorit, poentimi nuk ka qenë publik.

Transparenca e munguar në konkursin për Kryeprokuror të Shtetit 

Poentimi jotransparent në konkursin për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese