Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti priten nga presidenti francez, Emmanuel Macron

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti janë pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysée.

Osmani në një postim tha se bashkë me Macron kanë diskutuar për partneritetin mes dy shteteve, dinamizimin e dialogut me Serbinë si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë.

Presidentja tha se kanë biseduar edhe për veprimet ‘destabilizuese të Serbisë’ në Kosovë.

“Diskutuam edhe veprimet destabilizuese të Serbisë, përmes fuqizimit të strukturave ilegale të saj në Kosovë, frikësimit të qytetarëve serbë dhe nxitjes së grupeve kriminale për ta cenuar rendin dhe ligjin në veri. Kosova mbetet e angazhuar, në koordinim me partnerët ndërkombëtar, për paqe, stabilitet dhe për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit. Ndërkaq, Presidenti Macron potencoi përkrahjen e tij për paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon”- ka shkruar Osmani në facebook .

 

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti janë duke qëndruar në Paris në Forumin e Paqes.

Shkuarjen në Paris e ka konfirmuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Mediat serbe dje raportuan se presidenti serb Vuçiq ka thënë se do të jetë në Paris dhe do të takohet me përfaqësuesin e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Edicioni i pestë i Forumit të Paqes në Paris do të mbledhë liderë nga mbarë bota, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, bizneseve, bankave zhvillimore për të diskutuar eliminimin e krizave të shumëfishta globale, duke promovuar forcimin e bashkëpunimit dhe multilateralizmit.