Këshilli për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut

Presidentja Osmani: Bojkoti i KGJK e KPK bojkot ndaj shtetit dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut

Presidentja Vjosa Osmani mbrëmë ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm me Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në të cilin morën pjesën krerë të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile.

Të ftuar në këtë takim ishin edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Përfaqësues të asnjërës nga këto dy institucione nuk u paraqitën në takimin e jashtëzakonshëm të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.

Për këtë pati kritika edhe presidentja Osmani e cila tha se me mos- pjesëmarrjen e tyre ata bojkotuan shtetin dhe  të drejtat e lirive të njeriut.

“Sipas Presidentes, shumica dërmuese e vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë, ku gratë u bënë viktima të bashkëshortëve dhe partnerëve të tyre e me raste edhe të baballarëve,  mund të parandaloheshin. “Në secilin nga këto raste dështoi të paktën një hallkë e sistemit”, thuhet në njoftimin që është dërguar mbrëmë nga zyra e Presidentes Osmani.

Më tej, Presidentja Osmani ka shpalosur disa statistika në raport me veprimet e institucioneve të drejtësisë në rastet e dhunës seksuale.

Ajo  ka kërkuar përgjegjësi nga mekanizmat kompetent.

“Përgjegjësia për secilën nga këto vepra padyshim se bie mbi kryesin e veprës. Por, secili nga këto raste kërkon përgjegjësi të shtuar edhe nga mekanizmat kompetent të cilët janë të obliguar të sigurojnë mbrojtje adekuate për viktimën”, ka thënë Presidentja Osmani.

Përveç takimit të Këshillit për Demokraci që u mbajtë mbrëmë, një takim tjetër i jashtëzakonshëm i grupit ndërministror i thirrur nga Ministrja e Drejtësisë në fillim të kësaj jave, nuk pati të pranishëm edhe përfaqësues të Prokurorive apo Gjykatave.

Takimi ndërministror u thirr menjëherë pas rastit të vrasjes së Hamide Magashit nga burri i saj Sokol Halili.

Magashi u vra në oborr të QKUK-së mbrëmjen e 30 nëntorit, ndërsa Halili ishte fillimisht në arrati për më shumë se 40 orë ndërsa kur u lokalizua nga policia ai kreu vetëvrasjen dhe nuk pranoi të dorëzohej.