Presidentja Vjosa Osmani

Presidentja Osmani bën thirrje që viktimat e dhunimeve gjatë luftës të regjistrohen në Komision

Gjatë ditës së sotme, oborri i Kuvendit të Kosovës u rrethua me piktura të ndryshme ku të paraqitura ishin peizazhe shumëngjyrëshe dhe simbole të paqes.

Kjo ekspozitë u bë me rastin e 14 Prillit – Ditës së të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se kjo ditë është e veçantë.

Foto: KALLXO.com

“Shënimi i 14 prillit muajit edhe kur ka pasur më së shumti dhunime gjatë luftës së fundit në Kosovë do të ishte vulosje e përhershme e një kapitulli të dhimbshëm e tragjik të historisë sonë dhe do të ishte bashkim i zërave tonë për të treguar se si gra e burra të Kosovës përkundër vuajtjeve të mëdha e shndërruan vuajtjen e tyre në forcë për të ngritur zërin për drejtësi”, tha Osmani para mediave.

Presidentja tha se imazhet e paraqitura në oborrin e kuvendit flasin më shumë se cdo fjalë sepse nëpërmjet tyre gra e burra kanë treguar se si do të donin ta shihnin botën . “Sot poashtu kemi zgjedhur artin që të flasim për dhimbjen, kemi zgjedhur pikturën për të folur edhe për stigmën me të cilën janë ballafaquar gra e burra të vendit tonë, për paragjykimet dhe vështirësitë me të cilat janë ballafaquar e ballafaqohen të mbijetuarit e dhunës seksuale”.

Foto: KALLXO.com

Ajo po ashtu përmendi se heshtja për këto raste nuk duhet të ketë vend në përpjekjet për drejtësi “Drejtësia do të jetë e qëndrueshme vetëm atëherë kur kriminelët që kryen këto krime do të ballafaqohen me drejtësinë. Lirinë e kemi fituar por paqja për shumë qytetarë e qytetare tona nuk do të jetë e plotë përderisa drejtësia dhe ndëshkimi për krimet e bëra të jetë përfundimtar”, tha ajo teksa u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që t’i trajtojnë këto raste me prioritet.

Shyhrete Tahiri, njëra nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, pati thirrje ndaj presidentes, kryeministrit dhe deputetëve të Republikës së Kosovës që të angazhohen në kërkesat që kanë qëllim përmirësimin e gjendjes së të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Foto: KALLXO.com

“Të njihet ligjërisht 14 prilli si ditë zyrtare memoriale për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Të shqyrtohen dhe plotësohen kërkesat për ndryshime ligjore të renditura në letrën avokuese në mënyrë që të plotësohen zbrazëtirat ligjore dhe të mbijetuarit e luftës të përfitojnë nga këto ndryshime” përmendi Tahiri.

Feride Rushiti, udhëheqëse e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës pati një thirrje ndaj familjarëve të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Iu bëj thirrje së pari familjarëve, pasi shumë herë të mbijetuarit e dhunës seksuale dëshirojnë të aplikojnë, t’iu njihen të drejtat tani që institucionet e Kosovës iu garantojnë, por për shkak të stigmës, paragjykimit, mbylljes së kësaj plage brenda për brenda familjes, familjarët hezitojnë”.

Ajo tutje tha se i siguron të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës se identiteti i tyre nuk do të zbulohet.

“Iu garantojmë që ky proces është plotësisht i garantuar dhe identiteti i të mbijetuarve të dhunës seksuale asnjëherë nuk shpaloset”, tha ajo.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur gjatë tërë ditës dhe do të jetë e çashme për vizitorët.

Ndërkaq, Leonora Selmani, kryetare e komisionit për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale në luftë ka bërë të ditur për KALLXO.com se numri total i njerëzve që kanë aplikuar që t’iu njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës është 1668, prej të cilëve 1362 janë gra teksa 95 të tjerë janë burra.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se numri i rasteve të aprovuara është 1172 gjersa ai i rasteve të refuzuara është 228.