Presidentja Osmani bën homazhe në Prekaz: Adem Jashari është hero i dinjitetit tonë

Në ditëlindjen e 67 të komandantit legjendar Adem Jashari dhe në ditën e Flamurit, presidentja e vendit Vjosa Osmani në mëngjesin e sotëm ka bërë homazhe tek varri i tij në Prekaz.

Osmani e shoqëruar nga ministri i mbrojtjes Armend Mehaj dhe komandanti i FSK-së Bashkim Jashari ka thënë se ‘Adem Jashari është hero i dinjitetit tonë’.

“I vendosur, guximtar e luftarak. Ky është komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari. Në shënimin e ditës së lindjes, u përulëm para varrit të tij dhe familjarëve, të cilët u flijuan për lirinë tonë. Ai hyri një herë në histori për të mbetur përherë dhe për t’u kujtuar veçanërisht më 28 nëntor, krahas Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Një ditë dhe tri data historike” – ka shkruar ajo në Facebook.

67 vjeç do të mbushte sot komandanti legjendar, Adem Jashari, nëse do të ishte gjallë.

Ai lindi më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt dhe ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit.

Me vendim të ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Adem Jashari është nderuar me titullin Hero i Kosovës.

Sot në Kosovë me aktivitete të shumta pritet të festohet 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Adem Jashari sot do të mbushte 67 vjeç