Presidentja në detyrë: Prokurorët të jenë të paanshëm

 

Duke iu drejtuar një fjalë rasti Konferencës së Prokurorëve, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes – Vjosa Osmani, tha se paanshmëria dhe pavarësia e prokurorëve është bazamenti i punës së prokurorëve.

“Gjykatësit dhe prokurorët gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, përveç faktit që duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të njëjtit edhe në publik të kenë perceptimin dhe besimin e qytetarëve dhe publikut se të njëjtit janë të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë në ushtrimin e funksioneve të tyre zyrtare”, tha Osmani.

Osmani e cilësoi Sistemin Prokurorial si një ndër hallkat kryesore të zinxhirit institucional në vend, pa të cilin nuk mund të kemi shtet ligjor dhe sundim të rendit dhe ligjit por tha se duhet ende progres.

“Përkundër angazhimit dhe rezultateve të mira, raportet ndërkombëtare vazhdojnë të ofrojnë rekomandimet e veta për të përmirësuar performancën dhe kësisoj edhe rezultatet e punës së institucioneve të sistemit të drejtësisë, përfshirë këtu edhe Prokurorinë”, tha Osmani.

Osmani tha se një Sistem i suksesshëm Prokurorial është një sukses i gjithë shtetit.

“Puna e një prokurori është punë me përgjegjësi të jashtëzakonshme. Suksesi i Prokurorisë është sukses i gjithë shtetit tonë, prandaj të gjithë ne, qoftë përfaqësuesit e institucioneve por edhe të gjithë qytetarët e vendit tonë, duhet të ofrojmë kontributin tonë maksimal për të siguruar institucione të pavarura, kredibile e profesionale të cilat luftojnë krimin e korrupsionin, ruajnë integritetin institucional e mbi të gjitha e bëjnë Republikën tonë një vend të dëshirueshëm për të rritur fëmijët tanë”, tha Osmani.

Osmani më tej në fjalën e saj u fokusua tek rëndësia e integritetit të Prokurorisë së Shtetit.

“Integriteti, profesionalizmi e vetëmohimi i prokurorëve tanë është garanca që e kërkojmë të gjithë në Republikën e Kosovës. Duke u nisur nga parimi se të gjithë jemi të barabartë para ligjit, pikërisht edhe puna jonë në institucione duhet të jetë e bazuar në këtë maksimë, për të na shërbyer si udhërrëfyes në punën tonë të përditshme. Zbatimi i këtij parimi është sidomos i domosdoshëm në punën tuaj, prokurorë të nderuar”, tha Osmani.

Përpos integritetit, Osmani ju rikujtoi prokurorëve edhe rëndësinë e efikasitetit të punës së tyre.

“Duke jetuar në një kohë dinamike, ku në çdo moment ndodhin zhvillime të reja, është me rëndësi që edhe puna e Prokurorisë të jetë e shpejtë, efikase e veprimet të ndermirën në kohë. Kësisoj, duke vepruar menjëherë e pa vonesa, ne mbrojmë jetën e qytetarëve tanë, garantojmë jetë familjare pa dhunë, mundësojmë zhvillim normal të punës në institucione e përfundimisht ofrojmë garancinë e të jetuarit në një vend ku sundon ligji dhe askush tjetër”, tha Osmani.

Krejt në fund, Osmani u zotua se do të punojë për ngritjen e gjithmbarshme të kapaciteteve të Prokurorisë së Shtetit.

“Ngritja e mëtutjeshme e kapaciteteve profesionale e logjistike, si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, janë disa nga aspektet tjera me rëndësi jetike për zhvillim edhe të mëtutjeshëm të Prokurorisë sonë. Ndarja e përvojave mes institucioneve, sidomos atyre të drejtësisë, mundëson rritje të efikasitetit dhe koordinim më të mirë në luftë kundër krimit. Në anën tjetër, investimi në ngritje të kapaciteteve profesionale dhe logjistike e administrative, padyshim se do të rris nivelin e profesionalizmit, angazhimit dhe rezultateve të përgjithshme të këtij institucioni”, tha Osmani.