Presidentja merr pjesë në Samitin e tretë të Diasporës në Tiranë
Presidentja, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Tiranë për të qenë pjesë e Samitit të tretë për Diasporë.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, me ftesë të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka udhëtuar për në Tiranë ku do të marrë pjesë në Samitin III për Diasporë” – njofton Presidenca e Kosovës.
Në këtë samit që mbahet më 22 dhe 23 nëntor, Presidentja do t’i adresohet të pranishmëve me një fjalim.
Pjesë të Samitit për Diasporë, sipas njoftimit, pritet të jenë edhe liderë institucionesh, partish politike, studiues dhe historianë nga të gjithë vendet shqiptare, duke përfshirë edhe përfaqësues dhe figura të njohura të komunitetit arbëresh.
Përmes kësaj ngjarjeje, Ministria e Punëve të Jashtme në Shqipëri synon që të mundësojë rigjallërimin e formave konkrete të bashkëpunimit mes vendit amë dhe diasporës, në promovim të rolit të rëndësishëm të saj në ndërtimin e një udhërrëfyesi për fatin e vendlindjes.