Presidentja, kryekuvendari e kryeministri shkuan bashkë për ngushëllime te familjet e viktimave të aksidentit në Kroaci

Presidentja Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, kanë vizituar për ngushëllime familjet e personave që kanë humbur jetën në aksidentin në Sllavonski Brod të Kroacisë.

Kështu thuhet në komunikatën e përbashkët të presidentes, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit.

Në komunikatë potencohet se ata u kanë shprehur ngushëllime familjarëve, duke i siguruar ata se do të kenë mbështetje institucionale.

Tre drejtuesit kanë përmendur edhe ndihmën e pakursyeshme të shtetit kroat për t`u dalë në ndihmë të aksidentuarve, duke falënderuar strukturat shtetërore për angazhimin.

Presidentja Osmani ka theksuar se një fatkeqësi si kjo është dhimbje për gjithë qytetarët e Kosovës, ndërkohë që ka uruar shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, theksoi se dhimbja për mërgimtarët që humbën jetën është e madhe, ngase u nisën për vizitë në familjet e tyre për ta gjetur gëzimin por e gjetën vdekjen.

Tutje në komunikatë theksohet se kryeministri Kurti ka thënë se kjo tragjedi nuk është vetëm e familjeve, por e të gjithë kombit. Sipas tij, dhimbja duhet të kthehet në forcë për ta përballuar më lehtë këtë humbje të madhe.

Në ditën e parë të vizitave, të tre liderët institucionalë kanë vizituar familjet e Ahmet Hoxhës, Anjeza Bellanicës, Kujtim Kastratit, Leonora Kolemekshajt, Naser Sylemetajt, Erlinda Binakajt, Valentina Zhubi-Binakajt dhe Gjylë Malokut, të cilët nuk i mbijetuan aksidentit të rëndë në Sllavonski Brod të Kroacisë.

Vizitat ngushëlluese do të vazhdojnë të premten edhe në familjet e tjera.