Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Presidentja flet për mundësinë e ndonjë modeli tjetër për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe

Presidentja Vjosa Osmani ka folur lidhur me mundësinë e ndonjë modeli të pranueshëm për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe ka thënë se kjo tashmë është e paraparë me Ligjin për vetëqeverisje lokale.

“Sa i përket a mund të ketë ndonjë model tjetër, ajo tashmë është e paraparë në Ligjin për vetëqeverisje lokale, sa i përket regjistrimit të OJQ-ve, mirëpo regjistrimin e OJQ-ve nuk e bën as Presidenca as Qeveria. Pra, ato janë çështje të parapara me ligj. Nuk duhet marrëveshje të reja për çështje që tashmë janë të parapara me ligj. Mirëpo kompetenca të reja, ekzekutive e cenim të sovranitetit ato nuk mund t’i lejojmë”, tha presidentja në një intervistë në RTK.

Osmani tha se Shtetet ee Bashkuara e kanë bërë të qartë se nuk do të përkrahin assesi as Republika Sërpska, e as kompetenca ekzekutive.

Ajo theksoi parimet themelore për ta mbrojtur sovranitetin e vendit.

“ShBA-të e kanë bërë të qartë se nuk do të përkrahnin assesi as Republika Sërpska, e as kompetenca ekzekutive. Kjo është njëra ndër zhvillimet më të rëndësishme sa i përket Asociacionit. Nuk mund të ketë asnjë model që na shpie drejt bosnjëzimit të Kosovës, nuk mund të ketë asnjë model që i jep kompetenca ekzekutive dhe kush e krijon Asociacionin si një pushtet të tretë që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk mund të ketë asnjë model i cili e defunksionalizon Kosovën. Nuk do të na duhet ulësja në Kombet e Bashkuara në qoftë se jemi shtet totalisht i dështuar përbrenda, shtet i cili nuk funksionon”, ka thënë Osmani.

Presidentja shtoi se duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese sa i përket formimit të Asocacionit.

“Mos e harroni një gjë, asociacioni me kompetenca ekzekutive kamuflohet me emra të tjerë, por është prelud i ndarjes, prapë përfundon me shkëputje, ndarje. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm, e respektojmë atë që e ka thënë Gjykata Kushtetuese. Duhet të jemi të qartë dhe të tregohemi të sinqertë me partnerët tanë”, tha Osmani.