Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, më 13.08.2024. Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja flet me kryesuesin e KQZ-së për përgatitjet dhe konsultimet lidhur me datën e zgjedhjeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot, më 13.08.2024, ka folur me kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi lidhur me përgatitjet dhe konsultimet që po bëhen për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

Siç njofton Presidenca, Radoniqi e ka njoftuar Osmanin për çështjet që KQZ i konsideron se duhet të merren parasysh gjatë vlerësimeve për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Ata diskutuan edhe për votimin nga mërgata dhe hapat që duhen bërë që kjo e drejtë të realizohet sipas ligjit të ri.

“Po ashtu Presidentja potencoi rëndësinë që në ditën e zgjedhjeve të bëhen organizimet e nevojshme për qasje të lehtë edhe për personat me nevoja të veçanta” – thuhet në komunikatën e Presidencës.

Presidentja ka shprehur besimin e saj se KQZ-ja do t’i ndërmarrë krejt veprimet e duhura, brenda afateve që procesi zgjedhor të realizohet duke respektuar të drejtat e qytetarëve si dhe standardet më të larta demokratike.

E para e shtetit ka folur për zgjedhjet edhe me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, dje më 12.08.2024.

Për datën e zgjedhjeve, presidentja Osmani ishte takuar me liderët e partive opozitare më 31.07.2024 dhe janë pajtuar që ajo të caktohet pas analizës të disa datave të mundshme për organizimin e tyre.

Datat e përmendura dhe të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë nga Osmani janë 26.01.2025, 02.02.2025, 09.02.2025 dhe 16.02.2025.