Foto: Bashkimi Evropian

Presidentja e Parlamentit Evropian: Kosovës duhet t'i hiqen vizat

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, para fillimit të Samitit të Bashkimit Evropian, tha se sot është një ditë historike, derisa shtoi se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë.

“Zgjerimi gjithmonë është parë si proces transformues për shtetet që e shohin Evropën si shtëpinë e tyre dhe mendoj se sot është dita kur ne duhet të fillojmë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe ne duhet me të vërtetë të fillojmë të bisedojmë edhe për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën”, tha Mestola.

Dje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me Presidenten e Parlamentit Evropian, Robert Metsola. Ato kanë diskutuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Osmani tha sot para fillimit të Samitit të BE-së, se shpreson që Kosova të fitojë liberalizimin e vizave sa më shpejtë, pasi sipas saj, është një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës.