Foto: Vjosa Osmani, Facebook

Presidentja dhe kryeministri marrin pjesë në përurimin e Shtëpisë së Kulturës "Ukë Bytyçi" në Suharekë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, më 16.09.2024, kanë qenë për vizitë në Komunën e Suharekës me rastin e përurimit të Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi”.

Kurti ka thënë se kjo Shtëpi e Kulturës do të jetë në dispozicion për të gjithë ata të cilët dëshirojnë të kontribuojnë në pasurimin e jetës kulturore dhe shoqërore të Suharekës.

“Rrjedhimisht, bashkërisht kontribuojmë në ndërtimin e një shoqërie më të pasur intelektualisht dhe shpirtërisht”- ka thënë ai.

Kurti potencoi se ky është një shembull pozitiv dhe i duhur i bashkëpunimit të institucioneve qendrore dhe atyre lokale për të mirën e qytetarëve tanë.

Ndërsa, presidentja Osmani ka thënë se në këtë vend, e kaluara jonë, e cila personifikohet me jetën dhe veprën e Ukë Bytyçit, do të gërshetohet mrekullisht me të tashmen dhe të ardhmen e të rinjve.

“Tashmë, të rinjtë tanë do të kenë mundësi më të madhe për ta zhvilluar talentin e tyre, duke nderuar komunën, shtetin dhe flamurin e Kosovës”- ka thënë ajo.

Ata janë mirëpritur nga kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, si dhe familjarë të familjes Bytyçi.

Pjesëmarrës ka qenë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Sipas Qeverisë së Kosovës, projekti për Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi” ka kushtuar afër 4 milionë euro dhe është financim i Ministrisë së Kulturës dhe i Komunës së Suharekës.

Ukë Bytyçi ka qenë kryetar i Komunës së Suharekës.

Ai ishte vrarë në ditën kur ishte konfirmuar fitorja e tij në zgjedhjet e dyta lokale më 27 tetor 2002.